"Diçka që ngrihet lartë e ndërtuar me themele të forta nuk bie kurrë"
24/04/2009
Rrëfehet Luiza Xhuvani
Luiza Xhuvani, aktorja e njohur e shumë roleve në teatër dhe film flet kësaj here për revistën tonë në një intervistë ndryshe.
Përmes saj kuptojmë se ç'mendon ajo për fatin, kohën, lumturinë, tabut, krenarinë, perfekten, politikën e shumë gjëra të tjera.
Tregon për preukopimin e saj më të madh që është e ardhmja e fëmijëve të saj, si dhe padyshim pranon se ka ëndrra të parealizuara...
Kjo që keni bërë deri sot është e ngjashme me ëndrrat tuaja fëminore?
Gjithmonë ka një lidhje mes të tashmes dhe të shkuarës. Kur je fëmijë e ke të vështirë dhe pothuajse të pamundur të parashikosh të ardhmen.
Ndërsa për t'iu rikthyer të shkuarës është më e thjeshtë dhe motivet si ato instiktive si ato logjike lidhen.
Nuk mund të them se kam ëndërruar të jem aktore, por kam ndjekur me shumë dashuri dhe adhurim aktorët dhe aktoret që interpretonin si në emisionet e radios ashtu dhe në kinemanë televizive shqiptare, pse jo dhe atë greke, që duke jetuar në Sarandë kisha mundësi ta ndiqja.
Pa vetëdije fëmija bëhet nganjëherë skllav i aktorit ose aktores që ai adhuron. Në atë kohë kam adhuruar Iren Papas.
A është kjo pjesë e ëndrrës sime të realizuar, apo jo nuk mund ta them. Jo në reminishence vlere, por në dëshirën për të qenë aktore. Le të themi e gjithë kjo është një ëndërr e realizuar, por ëndrrat mbeten ëndrra dhe mbeten gjithmonë hipotetike. Sot unë kështu mendoj.
Çfarë ju pëlqen më shumë në profesionin tuaj?
Komunikimi nëpërmjet emocionit, mesazhit, ndjenjave, dhimbjes, dashurisë, urrejtjes, cinizmit, morales pse jo dhe imorales, që nëpërmjet artit të aktorit, forcës së tij shprehëse hyjnë tek spektatori dhe lë gjurmë.
TAGS:
Cfare mendoni? Shikoni ose jepni mendimin tuaj me poshte
(0)
KOMENTI JUAJ